Arbër Hajdari emocionon publikun në emisionin “Goca dhe Gra” me një letër nga i ati

Arbër Hajdari u emocionua në emisionin “Goca dhe Gra” nga një letër e veçantë e babait të tij, Shkëlqim Hajdari ❤️

Letra e plotë e babait:

I dashur Arbër!

Dëshmitarët e punëve që bën ti janë të shumtë, kudo ku ka shqiptarë që punojnë e jetojnë.

Me të drejtë, shumica e tyre flasin me respekt për kontributin që ti tashmë jep prej vitesh, si në fondacion ashtu edhe në “Big Brother”.

Ky publik sot duhet të njihet edhe me disa punë të tjera, për të cilat ti je zotuar dhe unë jam dëshmitar.

Para 5 vitesh, unë kalova një moment të vështirë shëndetësor dhe, ndaj, vendosa që kompetencat në drejtimin e familjes t’i delegoj tek ty.

Sot, pas 5 vitesh, konstatoj se ti je një djalë “babë”, siç themi ne shqiptarët për djemtë dinjitozë; një bir nëne që, megjithë ngarkesën që ke, nënën tënde e ke prioritet në përkujdesje.

Arbër, jam krenar që me vëllain dhe motrën duheni sikur të ishit fëmijë të vegjël. Jam krenar për ty si babai shembullor i Rainës, më e vogla e familjes sonë.

Je një bashkëshort mirëkuptues dhe jam krenar për marrëdhënien e ngrohtë që keni krijuar bashkë. Me miqtë e mi në Kosovë, që ti dhe Vlera na bëtë krushq, ke një raport sikur të jesh djalë i asaj shtëpie.

Ndaj, sot publikisht, merre hallallin e babës, se edhe ky është po kaq i rëndësishëm sa ai i nënës. Bëfsh punë të hajrit gjithë jetën për familjen tënde të madhe, për njerëzit në nevojë dhe për Shqipërinë.

Paç shëndet e jetë të gjatë, biro!

Shkëlqim Hajdari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *