“Të gjithë janë gjetur, vetëm djali im jo” – apeli i babait të inxhinierit shqiptar

Familja e Erkan Nikës, 28-vjeçarit shqiptar që punonte si inxhinier i dytë në një anije mallrash turke, u ka bërë apel institucioneve shqiptare që të përfshihen në kërkimet për gjetjen e tij.

Anija “Aroyat”, në të cilën punonte i riu, u sulmua me dronë më 27 shtator në Detin e Zi, pranë portit të Novorossiysk-ut. Sipas informacioneve të publikuara, 15 anëtarë të ekuipazhit arritën të shpëtonin, ndërsa Erkan Nika rezulton ende i zhdukur.

Babai i tij, Rexh Nika, ka kërkuar ndihmën e institucioneve shëndetësore, policisë dhe autoriteteve në Rusi, Gjeorgji dhe zonat përreth Detit të Zi, për të kontrolluar nëse 28-vjeçari mund të jetë mes personave të plagosur ose të paidentifikuar.

Ai ka treguar se mesazhin e fundit nga i biri e mori më 24 shtator, pasi e kishte kontaktuar një natë më parë.

Familja, e cila jeton në Turqi që nga viti 1997, vijon të kërkojë përgjigje për fatin e Erkanit dhe u bën thirrje institucioneve shqiptare të angazhohen në përpjekjet për gjetjen e tij.