Aksion policor gjatë natës në disa lokale në Shkup, 8 persona të ndaluar

Një aksion policor i zhvilluar gjatë natës në disa lokale hotelierike në Shkup ka përfunduar me 8 persona të privuar nga liria, mes tyre edhe 3 të mitur.

Kontrollet u kryen nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup, në bashkëpunim me inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Gjatë aksionit u identifikuan gjithsej 37 persona.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dy lokale u konstatua se puna kishte vazhduar përtej orarit të lejuar, ndërsa në një tjetër u konstatua shërbim i alkoolit ndaj personave të mitur.

Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë konstatuar gjithashtu persona që dyshohet se posedonin drogë narkotike, substanca psikotrope dhe prekursorë.

MPB-ja ka bërë të ditur se ndaj rasteve të konstatuara do të ndërmerren masa në përputhje me procedurat ligjore.