Anketat e Odës së Mjekëve tregojnë se 78 për qind e mjekëve janë përballur me ndonjë formë dhune në vendin e punës. Në rreth 80 për qind të rasteve bëhet fjalë për dhunë verbale, ndërsa 6.8 për qind kanë përjetuar dhunë fizike.
Për mjekun, një ditë pune nuk përfundon gjithmonë me një diagnozë, recetë apo pacient të trajtuar. Për një pjesë të tyre, ajo mund të shoqërohet me fyerje, kërcënime dhe, në raste më të rënda, edhe me sulm fizik. Dhuna në institucionet shëndetësore në vend duket se është më e pranishme sesa tregojnë shifrat zyrtare, ndërsa heshtja e shumë rasteve e bën problemin edhe më pak të dukshëm, shkruan gazeta KOHA.
Anketat e Odës së Mjekëve tregojnë se 78 për qind e mjekëve janë përballur me ndonjë formë dhune në vendin e punës. Në rreth 80 për qind të rasteve bëhet fjalë për dhunë verbale, ndërsa 6.8 për qind kanë përjetuar dhunë fizike. Në anën tjetër, vitin e kaluar janë regjistruar vetëm tre raportime për dhunë ndaj punonjësve shëndetësorë. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka evidentuar dy kallëzime penale për sulm ndaj punonjësve shëndetësorë, me tre autorë të raportuar.
Këtu shfaqet hendeku më i madh i problemit, ku ajo që përjetojnë mjekët dhe ajo që regjistrojnë institucionet nuk përputhen. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve, pothuajse 70 për qind e sulmeve nuk raportohen. Procedurat, por edhe bindja se fyerjet apo kërcënimet janë “pjesë e punës”, bëjnë që shumë incidente të mos kalojnë kurrë pragun e një denoncimi zyrtar. Kështu, statistikat mund të japin përshtypjen e një problemi të kufizuar, ndërsa përvoja e mjekëve tregon një realitet tjetër.
Rasti i fundit i sulmit ndaj një gjinekologu në Poliklinikën e Bukureshtit në Shkup e riktheu këtë çështje në qendër të vëmendjes. Mjeku pësoi dëmtim të rruazës së qafës, ndërsa sipas dëshmisë së tij, sulmi ishte paraprirë edhe nga kërcënime. Rasti u raportua në polici, ndërsa MPB njoftoi se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të tij.
Nga Oda e Mjekëve duke e dënuar fuqishëm sulmin thanë se mosmarrëveshjet në institucionet shëndetësore duhet të zgjidhen përmes procedurave institucionale dhe jo përmes dhunës. “Mjekët duhet të kultivojnë një marrëdhënie besimi, bashkëpunimi, dinjiteti dhe ekspertize midis tyre dhe me pacientët, dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes procedurave të përshtatshme të parashikuara nga rregulloret ligjore. Ju kujtojmë se një sulm ndaj një punonjësi të kujdesit shëndetësor në punë konsiderohet sulm ndaj një zyrtari, për të cilin parashikohet edhe dënim me burg”, theksuan nga atje.
Ndërkaq, më të ekspozuar ndaj situatave të tilla janë ekipet e urgjencës dhe shërbimeve emergjente, ku përballja me pacientë dhe familjarë në situata të tensionuara mund të kthehet shpejt në konflikt. Por dhuna nuk mbetet vetëm brenda mureve të spitaleve. Kërcënimet dhe fyerjet janë zhvendosur edhe në rrjetet sociale, duke zgjeruar hapësirën ku një mjek mund të bëhet objekt presioni.
Ndryshe, ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023 e trajtojnë sulmin ndaj një punonjësi shëndetësor gjatë kryerjes së detyrës si sulm ndaj një zyrtari. Megjithatë, ligji nuk mund të funksionojë nëse incidenti nuk raportohet. Pikërisht këtu qëndron një nga problemet kryesore, ku mes 78 për qind të mjekëve që thonë se kanë përjetuar dhunë, vetëm disa raste përfundojnë në statistikat zyrtare. (koha.mk)
