Taravari për Mickoskin: Mundësia për afrimin me Bullgarinë ishte pas tragjedisë në Koçan

Arben Taravari konsideron se kryeministri Hristijan Mickoski ka humbur një moment të rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pas tragjedisë në Koçan.

Në një intervistë për podcastin “Koridori 8”, Taravari, i cili në atë kohë ishte ministër i Shëndetësisë, tregoi se Bullgaria ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë për të plagosurit. Ministri bullgar i Shëndetësisë e kishte kontaktuar atë dhe kishte ofruar vende për trajtimin e pacientëve.

Një pjesë e të plagosurve më pas u trajtuan në spitale në Sofje, Plovdiv dhe Varna.

“Ky ishte një moment i mirë që shtetet të afroheshin. Bullgaria e bëri hapin e parë”, tha Taravari.

Ai theksoi se solidariteti pas tragjedisë mund të ishte shfrytëzuar për të ulur keqkuptimet mes dy vendeve. Taravari kritikoi gjithashtu narrativat antibullgare dhe tha se Shkupi dhe Sofja duhet të punojnë për marrëdhënie më të mira fqinjësore.