Gjorgjievski: Rishpallet procedura për 100 autobusë të rinj

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se është rishpallur procedura për furnizimin me 100 autobusë të rinj dhe shprehu shpresën që këtë herë procesi të përfundojë me sukses.

Ai bëri të ditur se paralelisht do të nisë edhe projekti për sistemin e shpejtë të autobusëve BRT, për të cilin qyteti planifikon të sigurojë edhe 40 autobusë shtesë.

Gjorgjievski tha se procedurat administrative për BRT pritet të përfundojnë deri në fund të vitit, ndërsa themelet e projektit të vendosen vitin e ardhshëm.

Duke folur për gjendjen në qytet, ai deklaroi se institucionet kompetente po kryejnë kontrolle dhe revizione në Qytetin e Shkupit dhe paralajmëroi përgjegjësi për raste të caktuara.

Kryetari njoftoi gjithashtu se ka përfunduar tenderi për blerjen e 40 kamionëve për higjienën komunale, ndërsa po vendoset edhe një sistem i ri për transportin e mbeturinave me stacione transferimi.

Sa i përket deponisë ilegale në Vardarishte, Gjorgjievski tha se zona do të shndërrohet në park dhe se tashmë ka nisur pastrimi i mbeturinave sipërfaqësore.

Ai foli edhe për teleferikun e Vodnos, duke sqaruar se aktualisht nuk funksionon për shkak të kontrolleve teknike dhe problemeve të identifikuara, ndërsa për luna parkun tha se është zgjedhur kontraktori dhe projekti pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.