Granit Xhaka në një projekt unik filmik me legjendën Terence Hill

Kapiteni i kombëtares zvicerane me origjinë shqiptare, Granit Xhaka, po korr sukses edhe jashtë fushës së futbollit. Rrjeti i njohur i supermarketeve Denner ka realizuar një projekt të veçantë marketingu në prag të Kampionatit Botëror, duke bashkuar yjet e futbollit me legjendën e kinemasë botërore Terence Hill.

Nën titullin The Socceritos, është realizuar një film me metrazh të shkurtër që ndërthur atmosferën e filmave western me magjinë e futbollit. Përveç Terence Hill, në rolet kryesore shfaqen edhe Granit Xhaka, sulmuesi Zeki Amdouni dhe futbollistja Ana Maria Marković.

Sipas skenarit, tre protagonistët udhëtojnë nga qyteti në qytet në “Perëndimin e Egër”, duke u mësuar banorëve lojën e futbollit. Aventurat e tyre komplikohen kur përballen me një kriminel lokal që përpiqet të ndalojë futbollin, ndërsa konflikti kulmon me një bast që vendos fatin e këtij sporti në qytet.

Kompania Denner e ka përdorur këtë histori si simbolikë të rrugëtimit të saj, duke e krahasuar veten me pionierët që sollën futbollin në Perëndimin e Egër, ashtu siç rrjeti solli konceptin e marketeve me çmime të lira në Zvicër.

Xhirimet e filmit janë realizuar në Spanjë, në të njëjtat lokacione ku dekada më parë Terence Hill kishte xhiruar filmat e tij të famshëm. Projekti është drejtuar nga regjisori zviceran Reto Salimbeni.

Filmi ka pasur premierën ekskluzive në kinemanë Corso Cinema dhe tashmë po shpërndahet në platformat digjitale të Denner.