Njëri nga organizatorët e protestave studentore për të drejtën e dhënies së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi, ka reaguar pas protestës së fundit masive në Shkup.
Ai ka kritikuar qëndrimet e ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.
Përmes një reagimi publik, Ademi tha se nuk e kupton se si Filkov vazhdon të mbajë qëndrim kundër kërkesës së studentëve edhe pas mobilizimit të madh qytetar.
“Une nuk e di se si Filkov, pas asaj proteste masive, ende vazhdon të mbajë qëndrim kundër dhe të simbolizohet si ‘mbrojtës i gjuhës maqedone’.
Ne nuk kemi asgjë kundër gjuhës maqedone, por kemi kundër atyre që e kundërshtojnë gjuhën tonë amtare.
Gjithashtu, kryeministri ende insiston që çështja të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe ta zvarrisë edhe më tej këtë padrejtësi ndaj nesh. Pse na mundoni çdo herë? Pse jeni kaq kundër gjuhës shqipe? A ju frikëson aq shumë?”, shkroi Ademi.
